Jo vetëm mbrojtje kufijsh, por edhe mbrojtje të mendjes për femijët në epokën digjitale - korrik 2026
E dashur Emine,
Faleminderit që organizuat këtë tryezë diskutimi.
Të dashur miq,
Njëzet vjet më parë filloi një kapitull i ri, ndoshta më vendimtari në historinë njerëzore. Facebook hyri në jetën tonë, i pasuar shpejt nga YouTube, Twitter, Instagram dhe TikTok. Gjithçka filloi si një mënyrë e re për të lidhur njerëzit përtej distancave, por gradualisht shndërroi mënyrën se si komunikojmë, mendojmë, mësojmë dhe përjetojmë botën. Që atëherë, bota nuk ka qenë më njësoj.
Kur filloi, të gjithë na shtynte një shpresë e jashtëzakonshme: hapja e kufijve, avancimi i globalizimit, nxitja e rritjes ekonomike, zvogëlimi i varfërisë dhe zgjerimi i kufijve të të drejtave të njeriut. Megjithatë, ndërsa interneti u zhvillua me shpejtësi dhe smartfonët vendosën në duart tona një univers të tërë dixhital, u tërhoqëm - pothuajse pa e vënë re - drejt një realiteti të ri: atij virtual.
Sot, adoleshentët dhe të rinjtë janë ndër qytetarët më aktivë të këtij realiteti.
Por, kemi kuptuar se pas premtimit të para dy dekadave për t’u lidhur me njeri tjetrin fshihet një pyetje më e thellë: çfarë ndodh vërtet brenda këtij universi të ri të miqësive virtuale?
UNICEF-i na kujton një realitet shqetësues: në shumë raste, një fëmijë mund të jetë më i sigurt duke ecur vetëm në një rrugë të errët sesa duke qëndruar në shtëpi i lidhur me internetin.
Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se afërsisht një në tre adoleshentë ka përjetuar ngacmim kibernetik.
UNICEF-i dhe INTERPOL-i kanë paralajmëruar gjithashtu se materiali i abuzimit seksual të fëmijëve, i krijuar me inteligjencë artificiale, po rritet me ritme alarmante në shumë vende.
Studimet tregojnë vazhdimisht se zemërimi është emocioni mbizotërues i shprehur në rrjetet sociale. Atë e ndjek përbuzja, frika dhe ankthi. Gëzimi, mirënjohja, mirësia dhe dashuria shfaqen shumë më rrallë dhe, edhe kur shfaqen, shpesh kalojnë pa u vënë re nga algoritmet e projektuara për të shpërblyer indinjatën, jo mirëkuptimin.
A nuk është kjo në kundërshtim thelbësor me kodet e jetesës dhe bashkëjetesës që stërgjyshërit, gjyshërit dhe prindërit tanë i kanë përcjellë me mund brez pas brezi?
Psikologët, psikiatrit dhe sociologët na paralajmërojnë se këto vlera po gërryhen gradualisht, duke lënë pas ankth dhe pasiguri në rritje, ulje të vetëvlerësimit, zbehje të ngadaltë të empatisë, dobësim të vëmendjes dhe një rritje shqetësuese të çrregullimeve të shëndetit mendor në shoqëri - veçanërisht tek fëmijët dhe adoleshentët, të cilët janë padyshim më të prekshmit.
A nuk është ky një çmim jashtëzakonisht i lartë për gjithçka që njerëzimi ka ndërtuar në botën reale gjatë shekujve?
Unë linda dhe u rrita në një vend ku muret e mbanin botën jashtë, për të na mbrojtur prej saj.
Sot, fëmijët tanë po rriten në një botë pa mure - një botë ku gjithçka, e mira dhe e keqja njësoj, i arrin ata menjëherë, pa filtra dhe pa paralajmërim. Dhe ne nuk mund t'i mbrojmë prej saj.
Jeta më ka mësuar diçka të thjeshtë dhe të thellë njëkohësisht: të dyja ekstremet mund ta dëmtojnë një fëmije. I rrezikshëm është muri që mban gjithçka jashtë. Po aq e rrezikshme është edhe porta e hapur që lejon të hyjë gjithçka.
Prandaj, ndërsa vazhdojmë përpjekjet tona për ta bërë universin virtual më të sigurt, nuk duhet të harrojmë kurrë se mbrojtja më e fortë nuk mund të ndërtohet mbi një ekran.
Ajo duhet të ndërtohet në botën reale.
Në familje, ku ushqehen dashuria, besimi dhe tradita.
Në shkollë, ku zhvillohet mendimi kritik.
Në komunitet, ku kultivohen respekti, përgjegjësia dhe solidariteti.
Vetëm bota reale mund t'i mësojë një fëmije të dallojë të vërtetën nga gënjeshtra, të mirën nga e keqja, bukurinë nga shëmtia, dhe lirinë nga manipulimi.
Teknologjia mund të na lidhë, të na informojë dhe të na fuqizojë. Por vetëm marrëdhëniet njerëzore mund të na mësojnë se si të jetojmë së bashku.
E ardhmja e fëmijëve tanë do të varet përfundimisht jo nga sa inteligjente bëhen makinat tona, por nga sa me mençuri e përgatisim brezin e ri për t'i përdorur ato.
Besoj fort se, ndërkohë që vendosim rregulla, rregullore dhe kufizime për mbrojtjen e fëmijëve në hapësirën dixhitale, mbrojtja më e madhe që mund t'u ofrojmë atyre është t'u japim një botë reale që është më tërheqëse sesa ajo virtuale.
Të dashur miq,
Ndërsa Evropa diskuton buxhete gjithnjë e më të mëdha mbrojtjeje dhe kombet përgatiten të shpenzojnë qindra miliarda për tanke, raketa dhe dronë, duhet t'i bëjmë vetes një pyetje të thjeshtë: çfarë kuptimi ka të mbrojmë fëmijët tanë nga armët e drejtuara kundër trupave të tyre, nëse i lëmë të pambrojtur ndaj armëve të drejtuara kundër mendjeve të tyre?
Fusha e betejës e shekullit të 21-të nuk është vetëm fizike. Është edhe dixhitale. Ajo hyn në shtëpitë tona përmes smartfonit në duart e një fëmije. Ajo formëson vëmendjen, emocionet, identitetin, marrëdhëniet dhe, në fund të fundit, vetë demokracinë.
Ne duhet të investojmë në sigurinë tonë kolektive, patjetër që po. Por duhet të jemi po aq të vendosur për të mbrojtur brezin e ri nga arsenalet e padukshme të varësisë, manipulimit, shfrytëzimit dhe dhunës algoritmike. Përndryshe, mund të përfundojmë duke ndërtuar ushtri më të forta, ndërkohë që rritim qytetarë më të dobët.
Paradoksi më i madh i kohës sonë do të ishte të shpenzonim pa kufi për t'u përgatitur për luftëra që ndoshta nuk do të ndodhin kurrë, ndërkohë që investojmë shumë pak për të mbrojtur fëmijët tanë nga armatimi dixhital që është tashmë në veprim çdo ditë. Historia nuk do të na gjykojë vetëm për kufijtë që mbrojtëm, por edhe për fëmijërinë që ruajtëm.